Gjyqtarët 3:1-6
Gjyqtarët 3:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Këto janë kombet që la ZOTI për të vënë në provë Izraelin dhe të gjithë izraelitët, të cilët nuk i kishin përjetuar luftrat e Kanaanit, vetëm me qëllimin që të mësonin të luftonin breznitë e izraelitëve, që nuk e kishin provuar më parë luftën: pesë sunduesit e filistinëve, gjithë kananitët, sidonasit dhe hivitët, që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal Hermonit deri në Lebo Hamat. Ishin lënë që të vinin në provë Izraelin, për të parë nëse do t'u bindeshin urdhërimeve që ZOTI u kishte dhënë etërve të tyre përmes Moisiut. Kështu, izraelitët jetuan mes kananitëve, hititëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve. Izraelitët morën për gra bijat e tyre, u dhanë për gra bijat e veta dhe u shërbyen perëndive të tyre.
Gjyqtarët 3:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këto janë kombet që Zoti la me qëllim që me anë të tyre të vinte në provë Izraelin, domethënë tërë ata që nuk kishin njohur luftërat e Kanaanit: (kjo kishte si qëllim të vetëm t'ua bënte të njohur dhe t'u mësonte bijve të Izraelit luftën, të paktën atyre që nuk e kishin njohur më parë) pesë princat e filistenjve, tërë kanaanenjtë, sidonitët dhe hivenjtë që banonin në malin e Libanit, nga mali i Baal-Hermonit deri në hyrje të Hamathit. Këto kombe u lanë për të vënë në provë Izraelin, për të parë në se ata do t'u bindeshin urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë etërve të tyre me anë të Moisiut. Kështu bijtë e Izraelit banuan në mes të kanaanenjve, të hitenjve, të amorenjve, të perezenjve, të hivenjve dhe të jebusenjve; u martuan me bijat e tyre dhe u dhanë bijat e veta për gra bijve të tyre, dhe u shërbyen perëndive të tyre.