Gjyqtarët 14:1-7
Gjyqtarët 14:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sansoni zbriti në Timnah dhe aty pa një grua midis bijave të filistenjve. Kur u kthye në shtëpi, foli për të me të atin dhe të ëmën, duke u thënë: "Pashë në Timnah një femër midis bijave të filistenjve; ma merrni për grua". Babai dhe nëna e tij i thanë: "A nuk ka vallë një grua midis bijave të vëllezërve të tu në gjithë popullin tonë, që ti të shkosh të marrësh një grua midis filistenjve të parrethprerë?". Por Sansoni iu përgjigj atit të tij me këto fjalë: "Merrma atë, sepse më pëlqen". Por i ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti dhe që Sansoni kërkonte një rast kundër filistenjve. Në atë kohë, filistenjtë sundonin në Izrael. Pastaj Sansoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah; sapo arritën në vreshtat e Timnahut, një luan i vogël u doli përpara duke ulëritur. Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec; por nuk i tha asgjë atit dhe nënës së tij për atë që kishte bërë. Pastaj zbriti dhe i foli gruas, dhe ajo i pëlqeu Sansonit.
Gjyqtarët 14:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Samsoni shkoi në Timnah dhe atje pa një grua filistine. Kur u kthye i tha të atit e të ëmës: «Kam parë një grua filistine në Timnah. Ma merrni për grua». I ati dhe e ëma i thanë: «Nuk paska gra mes bijave të vëllezërve të tu dhe të popullit tonë, që të shkosh e të marrësh grua nga filistinët e parrethprerë?». Por Samsoni iu përgjigj: «Atë më merrni, se më pëlqen». I ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga ZOTI, që kërkonte një rast kundër filistinëve. Në atë kohë filistinët sundonin mbi Izraelin. Samsoni shkoi në Timnah bashkë me të atin dhe të ëmën. Kur mbërritën te vreshtat e Timnahut, një këlysh luani iu vërsul Samsonit duke ulërirë. Atëherë shpirti i ZOTIT e mbuloi Samsonin dhe ai e shqeu luanin më dysh si të ishte kec, pa pasur gjë në dorë. Nuk i tregoi as të atit e as të ëmës çfarë bëri. Pastaj shkoi në Timnah dhe foli me atë grua. Ajo i pëlqeu shumë.