Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 5:7-20

Jakobit 5:7-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur. Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia. A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen. Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj. Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate.

Jakobit 5:7-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, derisa të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njëri-tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri. Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë ''po'' -ja juaj ''po'' dhe ''jo'' -ja ''jo'', që të mos bini nën dënim. A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme! A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen. Rrëfejani fajet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt. Elia ishte një njeri njësoj si ne me pasione, dhe u lut duke kërkuar që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet. Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen, le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.

Jakobit 5:7-20

Jakobit 5:7-20 ALBB