Jakobit 3:5-10
Jakobit 3:5-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. Ja ç'pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. Me të bekojmë Zotin e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu.
Jakobit 3:5-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg! Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena. Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvarranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore, kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s'mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës. Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.