Jakobit 1:1-8
Jakobit 1:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, përshëndes dymbëdhjetë fiset e shpërndara nëpër botë. Vëllezërit e mi, gëzohuni kur ndeshni tundime të ndryshme, sepse ju e dini se sprova e besimit tuaj sjell durimin. Kini durim deri në fund, që të jeni të përsosur, të plotë dhe pa asnjë të metë. Nëse dikujt nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia dhe ai do t'i japë, sepse Perëndia u jep të gjithëve me zemërgjerësi dhe pa përçmim, por le të kërkojë me besim dhe pa dyshuar. Kush dyshon, i ngjan valës së detit, që e ngre era dhe pastaj e përplas. Ky njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Zoti, sepse është njeri me dy mendje dhe i paqëndrueshëm në gjithçka që bën.
Jakobit 1:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje! Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë. Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.