Isaia 60:1-22
Isaia 60:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ngrihu e shkëlqe, se po vjen drita jote! Lavdia e ZOTIT mbi ty po agon! Ja, tokën po e mbulon terri, popujt errësira e thellë, ndërsa mbi ty do të agojë ZOTI, lavdia e tij mbi ty do të shfaqet. Drejt dritës sate do të ecin kombet, mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd. Ngriji sytë përreth e shiko, janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti. Prej së largu do të vijnë bijtë e tu, bijat e tua do të sillen në krahë. Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh, zemra fort do të të rrahë, se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen e të mirat e kombeve te ti do të vijnë. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile prej Midianit dhe Efahut, të gjithë do të vijnë prej Shebës. Ar e temjan do të mbartin e do të shpallin lavdërimet e ZOTIT. Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti, deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd. Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm. Ç'janë ato që fluturojnë si retë, porsi pëllumbat drejt foleve të tyre? Ja, ishujt e largët tek më presin, me në krye anijet e Tarshishit. Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin, me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre, për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë tënd, për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi. Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua, mbretërit e tyre do të të shërbejnë, se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova, por nga mirësia ime pata mëshirë për ty. Portat e tua do të rrinë përherë hapur, nuk do të mbyllen as ditën, as natën, që të të sjellin pasurinë e kombeve, me mbretërit e tyre në krye. Kombet dhe mbretëritë që nuk do të të shërbejnë, do të marrin fund. Po, ato kombe do të rrënohen krejt. Te ti do të vijë lavdia e Libanit, qiparisat e pishat, bashkë me bredhat, për të stolisur vendin e shenjtërores sime, të lavdishëm do ta bëj vendin ku shkelin këmbët e mia. Kokulur do të vijnë te ti bijtë e atyre që të shtypnin, përmbys do të bien te këmbët e tua të gjithë ata që të përçmonin, do të të quajnë «Qyteti i ZOTIT», «Sioni i të shenjtit të Izraelit». E braktisur dhe e urryer ishe e askush nëpër ty s'kalonte, por ja, po të bëj madhështi të amshuar, gëzim, brez pas brezi. Do të pish qumështin e kombeve, prej begatisë së mbretërve do të thithësh. Do ta marrësh vesh se unë jam ZOTI, shpëtimtari e shpenguesi yt, i forti i Jakobit. Në vend të bronzit, do të sjell ar, në vend të hekurit, argjend, bronz, në vend të drurëve, hekur, në vend të gurëve. Paqen do të caktoj si udhëheqësin tënd, drejtësinë si sunduesin tënd. Në vendin tënd për dhunë më s'do të flitet as për shkatërrim e rrënim, në trojet e tua. «Shpëtim» do t'i quash muret e tua, «Lavdërim», portat e tua. Nuk do të të ndriçojë më dielli ditën, as hëna nuk do të të shkëlqejë natën, se ZOTI do të jetë drita jote e amshuar, Perëndia, shkëlqimi yt. Dielli yt nuk do të perëndojë më e hëna jote nuk do të erret më, se ZOTI do të jetë drita jote e amshuar dhe ditët e vajtimit do të marrin fund. Mbarë populli yt do të jetë i drejtë dhe vendin do ta trashëgojë në amshim. Ata janë fara që unë mbolla, vepra e duarve të mia, lavdia ime. I vogli do të bëhet një mijë, i pakti, një komb i fuqishëm. Vetë unë, ZOTI, në kohën e duhur, do ta bëj shpejt këtë.
Isaia 60:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty. Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty. Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate. Ngriji sytë e tu rreth e qark dhe shiko; mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti; bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t'i sjellin në krahë. Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vije tek ti. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile të reja të Midianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit. Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime. Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre? Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty. Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye. Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht. Lavdia e Libanit do të vijë te ti, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime, dhe unë do të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e mia. Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje, dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: "qyteti i Zotit", "Sioni i të Shenjtit të Izraelit". Në vend që ty të të braktisin dhe të të urrejnë, aq sa askush nuk kalonte më nga ti, unë do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm, gëzimin e shumë brezave. Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjinjtë e mbretërve dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit. Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë. Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t'i quash muret e tua "Shpëtim" dhe portat e tua "Lavdërim". Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, as hëna nuk do të të ndriçojë më me vezullimin e saj; por Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe Perëndia yt lavdia jote. Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe hëna jote nuk do të tërhiqet më, sepse Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe ditët e tua të zisë do të marrin fund. Tërë ata të popullit tënd do të jenë të drejtë; ata do të zotërojnë vendin përjetë, farën që unë mbolla, veprën e duarve të mia, për të shfaqur lavdinë time. Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t'i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.