Isaia 6:1-8
Isaia 6:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vitin që vdiq mbreti Uziah, pashë Zotin të ulur në një fron të lartë e madhështor. Cepat e petkut të tij mbushnin tempullin. Mbi të qëndronin serafët. Secili prej tyre kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy këmbët e me dy krahë fluturonte. Ata i thërrisnin njëri-tjetrit e thoshin: «Shenjt! Shenjt! Shenjt ZOTI i ushtrive! Mbarë toka është plot me lavdinë e tij!». Pragjet e shtalkave u drodhën nga zëri i atij që thërriste dhe tempulli u mbush me tym. E unë thashë: «I mjeri unë! Mora fund! Se njeri me buzë të papastra jam e mes një populli të papastër jetoj, por sytë e mi panë Mbretin, ZOTIN e ushtrive». Atëherë njëri nga serafët fluturoi drejt meje. Në dorë mbante një thëngjill zjarri që e kishte marrë me mashë prej altarit. Me të më preku gojën e më tha: «Ja, ky preku buzët e tua, paudhësia jote u fal, mëkati yt u shlye». Mandej dëgjova zërin e ZOTIT që tha: «Kë të dërgoj? Kush do të shkojë për ne?». Unë thashë: «Ja ku jam, dërgomë mua!».
Isaia 6:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij". Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. Atëherë unë thashë: "I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive". Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: "Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet". Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: "Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?". Unë u përgjigja: "Ja ku jam, dërgomë mua!".