Isaia 55:1-9
Isaia 55:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O ju të gjithë që keni etje, ejani tek uji! Kushdo që s'ka para le të afrohet! Blini drithë e hani! Ejani e blini verë e qumësht pa para e pa pagesë! Pse i shpenzoni paratë për çka s'është bukë? Përse mundoheni për gjëra që s'ngopin? Dëgjomëni, pra, me kujdes mua e do të hani çka është e mirë dhe shpirti juaj do të kënaqet me gjëra të shijshme. Mbani vesh dhe ejani tek unë! Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar, mirësinë e patundshme që i premtova Davidit. Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt, prijës e udhëheqës për kombet. Kështu, do të thërrasësh një komb që s'e njihje, kombe, që s'të njihnin, do të vrapojnë te ti, për shkak të ZOTIT, Perëndisë tënd, të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi. Kërkojeni ZOTIN ndërsa mund të gjendet, thirrini atij për sa kohë është afër. Le të lërë i ligu udhën e tij, i paudhi synimet e tij, le të kthehet te ZOTI, që ta mëshirojë, te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër. Se mendimet e mia nuk janë si tuajat, as udhët e mia si udhët tuaja, kumton ZOTI. Sa larg është qielli nga toka, aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja, mendimet e mia nga mendimet tuaja.
Isaia 55:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht! Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme. Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit. Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve. Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar". Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht. "Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia", thotë Zoti. "Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.