Isaia 54:10-14
Isaia 54:10-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Malet mund të tunden vendit e kodrat mund të tranden, por mirësia ime për ty s'do të tundet dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet», thotë ZOTI që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar! Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj, themelet e tua mbi safirë do t'i vendos. Muret e tua prej rubini do t'i bëj, portat e tua me gurë berili, gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar. Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej ZOTIT, e madhe do të jetë paqja e bijve të tu! Themelet do t'i kesh në drejtësi, larg do të jesh nga shtypja. Frikë nuk do të kesh e as tmerri nuk do të të prekë.
Isaia 54:10-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhembshuri për ty. O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia, e pangushëlluar, unë do të ngallmoj gurët e tu të çmuar në antimon dhe do të të themeloj mbi safirët. Do t'i bëjë bedenat e tu prej rubinësh, portat e tua prej xhevahiri dhe tërë rrethimin tënd prej gurësh të çmuar. Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu. Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi; do të jesh larg nga shtypja, sepse nuk duhet të trembesh më edhe nga tmerri, sepse nuk do të të afrohet më ty.