Isaia 54:1-6
Isaia 54:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ngazëllohu, o shterpë, që nuk linde, shpërthe e bërtit nga gëzimi, ti, që dhimbjet e lindjes nuk i pate. Ja, bijtë e të braktisurës më të shumtë do të jenë se bijtë e asaj që ka burrë, thotë ZOTI. Zgjeroje vendin e tendës sate, shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate, zgjati litarët e tendës sate, hunjtë e saj përforcoji, se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë, pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet, qytetet e shkretuara do t'i popullojnë. Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh, mos u skuq, se nuk do të çnderohesh. Turpin e rinisë do ta harrosh, çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh. Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt, ZOT i ushtrive është emri i tij. Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit, Perëndi i mbarë tokës quhet ai. Se si një grua të lënë, të lënduar në shpirt, të thirri ZOTI. «Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?», thotë Perëndia yt.
Isaia 54:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti. Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu, sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara. Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate. Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës. Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.