Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 53:1-12

Isaia 53:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kush, pra, i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua krahu i fuqishëm i ZOTIT? Para tij u rrit si filizi, porsi rrënja prej tokës së thatë. S'kishte as pamje, as bukuri, që të na tërhiqte shikimin. S'kishte as paraqitje, që të na pëlqente. I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve, njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh. Por ja, ai mbajti vurratat tona, dhimbjet tona i mbarti! Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar, i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar! E pra, ai u shporua për shkeljet tona, u shtyp për paudhësitë tona. Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të, prej vurratave të tij ne u shëruam. Të gjithë endeshim si dele të humbura, secili prej nesh ndiqte udhën e vet. E ZOTI ngarkoi mbi të paudhësinë e ne të gjithëve. I keqtrajtuar, duroi poshtërimin, gojën nuk e hapi. Porsi qengji, që e çojnë në thertore, si shqerra, që s'bëzan para qethësit, gojën ai nuk e hapi. Me dhunë e me gjyq e mbërthyen, për fatin e tij kush mendoi? Se e zhbinë nga toka e të gjallëve, për shkeljet e popullit tim u godit. Varrin ia vunë me të paudhët, kur vdiq e vunë me pasanikët, ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme e mashtrim prej gojës nuk i doli. Por ZOTI deshi ta shtypte përmes dhimbjes, se, po ta jepte veten e tij si fli faji, do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë, e përmes tij dëshira e ZOTIT do t'ia dalë mbanë. Prej mundimit të vetes së vet, do të arrijë të shohë e do të kënaqet, me dijen e tij shumë do të shfajësojë shërbëtori im i drejtë e mbi vete mëkatet e tyre do të mbartë. Prandaj, do t'i jap turmat si shpërblim, të fuqishmit si plaçkë ai do t'i marrë, se e zbrazi veten deri në vdekje, me të paudhët e radhitën. Mëkatet e shumë njerëzve ai mbarti, për shkelësit ai ndërmjetësoi.

Isaia 53:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t'i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë