Isaia 53:1-10
Isaia 53:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kush, pra, i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua krahu i fuqishëm i ZOTIT? Para tij u rrit si filizi, porsi rrënja prej tokës së thatë. S'kishte as pamje, as bukuri, që të na tërhiqte shikimin. S'kishte as paraqitje, që të na pëlqente. I përçmuar, i përbuzur prej njerëzve, njeri i vuajtur, i mësuar me dhimbjen, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përçmuar e krejt pa vlerë prej nesh. Por ja, ai mbajti vurratat tona, dhimbjet tona i mbarti! Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar, i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar! E pra, ai u shporua për shkeljet tona, u shtyp për paudhësitë tona. Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të, prej vurratave të tij ne u shëruam. Të gjithë endeshim si dele të humbura, secili prej nesh ndiqte udhën e vet. E ZOTI ngarkoi mbi të paudhësinë e ne të gjithëve. I keqtrajtuar, duroi poshtërimin, gojën nuk e hapi. Porsi qengji, që e çojnë në thertore, si shqerra, që s'bëzan para qethësit, gojën ai nuk e hapi. Me dhunë e me gjyq e mbërthyen, për fatin e tij kush mendoi? Se e zhbinë nga toka e të gjallëve, për shkeljet e popullit tim u godit. Varrin ia vunë me të paudhët, kur vdiq e vunë me pasanikët, ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme e mashtrim prej gojës nuk i doli. Por ZOTI deshi ta shtypte përmes dhimbjes, se, po ta jepte veten e tij si fli faji, do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë, e përmes tij dëshira e ZOTIT do t'ia dalë mbanë.
Isaia 53:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kush i ka besuar predikimit tonë dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit? Ai erdhi lart para tij si një degëz, si një rrënjë nga një tokë e thatë. Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak. Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën. U çua larg nga shtypja dhe nga gjykimi; dhe nga brezi i tij kush mendoi se ai ishte larguar nga toka e të gjallëve dhe ishte goditur për shkak të shkeljeve të popullit tim? Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, po kur vdiq e vunë me të pasurin, sepse nuk kishte kryer asnjë dhunë dhe nuk kishte pasur asnjë mashtrim në gojën e tij. Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.