Isaia 51:12-16
Isaia 51:12-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë, unë jam ai që të ngushëllon, kush je ti që trembesh nga njeriu i vdekshëm, nga biri i njeriut që është si bari? E ke harruar ZOTIN, që të krijoi, që shtriu qiejt e themeloi tokën. Gjithë ditën je përherë i frikësuar prej furisë së shtypësit, që është bërë gati të të shkatërrojë. Po përse është zemëruar vallë shtypësi? I robëruari i kërrusur shpejt do të çlirohet, në gropë nuk do të vdesë e buka s'do t'i mungojë. Unë jam ZOTI, Perëndia yt, që e trand detin e i buçasin valët, ZOT i ushtrive është emri i tij. Fjalët e mia i vura në gojën tënde, me hijen e dorës sime të mbulova. Unë, që mbolla qiejt e tokën themelova, unë i them Sionit: «Ti je populli im».
Isaia 51:12-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit? I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t'i mungojë buka. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive. Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejt dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t'i thënë Sionit: "Ti je populli im".