Isaia 5:1-7
Isaia 5:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Do t'i këndoj të dashurit tim një këngë, këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij, vreshtin, që i dashuri im mbi një kodër pjellore e kishte. E thuri, e pastroi nga gurët, me hardhi të zgjedhura e mbolli, në mes të tij një kullë ndërtoi, torkun brenda tij gërmoi. Priste t'i bënte rrush, por i dha veç larushk. E ju, o banorë të Jerusalemit, e ju, o burra të Judës, mes meje e vreshtit tim gjykoni! Ç'të bëj më për vreshtin tim, që ende s'e paskam bërë? Tek prisja të më bënte rrush, përse dha vetëm larushk? E tani më lejoni t'ju dëftej se ç'do t'i bëj vreshtit tim: do t'ia shthur gardhin, që të bëhet djerr, do t'ia rrëzoj ledhet, që ta shkelin me këmbë. Do ta lë të mbesë i shkretë, pa krasitje e pa prashitje, që të mbijnë ferra e gjemba. Reve do t'u urdhëroj, të mos ia lëshojnë shiun. Vreshti i ZOTIT të ushtrive është shtëpia e Izraelit, filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës. Priti të vepronin drejt e ja, veç gjakderdhje, priti të bënin drejtësi e ja, veç gulçime.
Isaia 5:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore. E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, kurse prodhoi rrush të egër. Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim. Çfarë mund t'i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër? Por tani do t'ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do ta përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin. Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare. Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi.