Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 27:1-13

Isaia 27:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atë ditë ZOTI do të ndëshkojë me shpatën e vet të mprehtë, të madhe e të fuqishme Leviatanin, gjarprin dredharak, Leviatanin, gjarprin dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin e detit. Atë ditë, vreshtit të ëmbël këndojini! Vetë unë, ZOTI, e ruaj, në kohën e duhur e ujis, dhe, që të mos e dëmtojë askush, ditë e natë bëj roje. I zemëruar nuk jam. Po të më vinin ferra e gjemba, do të marshoja për të luftuar kundër tyre, në flakë krejt do t'i digjja. Por kush do të kërkojë mbrojtjen time, do të bëjë paqe me mua, po, do të bëjë paqe me mua. Në të ardhmen Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë e do të çelë sytha, frutat do ta mbushin faqen e dheut. A mos i ra vallë Izraelit, aq sa u ra atyre që i binin atij? A mos u vranë vallë, aq sa u vranë ata që e vrisnin? E ndëshkoi duke e dëbuar, padi kundër tij ngriti, me frymën e tij të fuqishme e degdisi, në ditën e erës së furishme nga lindja. Kështu do të shlyhet paudhësia e Jakobit, ky do të jetë fryti i faljes së mëkatit të tij, kur t'i kthejë tërë gurët e altarit në pluhur gëlqereje të shuar, kur shtyllat e Asherave dhe altarët e temjanit të mos ngrihen më kurrë. Qyteti i fortifikuar i shkretë do të mbetet, pa banorë e i braktisur si shkretëtira. Aty do të shkojnë të kullotin viçat, aty do të shtrihen e degë do të hanë. E kur degët të thahen e të këputen, do t'i marrin gratë për të ndezur zjarr, se ky popull nuk ka fare mençuri, prandaj ai që e bëri, s'do të ketë për të dhembshuri, ai që i dha trajtë, nuk do të ketë për të mëshirë. Atë ditë ZOTI do t'i shijë kallëzat, që nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, ndërsa ju një nga një do të mblidheni, o bij të Izraelit! Atë ditë do të bjerë boria e madhe e do të vijnë të hapërdarët në tokën e Asirisë, bashkë me të dëbuarit në dheun e Egjiptit. Para ZOTIT do të përkulen në malin e shenjtë, në Jerusalem.

Isaia 27:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarprin e shkathët, gjarprin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det. Atë ditë do të thuhet: "Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të. Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë. Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t'i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t'i digjja të gjitha tok. Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua". Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte. A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë? Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore. Në këtë mënyrë do të shpaguhet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t'i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërrmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më. Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët. Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t'i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuarsi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t'i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t'i japë hir. Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit. Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.