Isaia 26:1-11
Isaia 26:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atë ditë në tokën e Judës kjo këngë do të këndohet: qytetin e kemi të fortë, të ndërtuar për shpëtimin tonë, me mure e me bedena. Hapini dyert, që të hyjë kombi i drejtë, kombi që qëndron besnik. Synimet e tij nuk luhaten dhe ti e mban në paqe, e mban në paqe, se ka shpresuar te ti. Kini përherë shpresë te ZOTI, se ZOTI, ZOTI është shkëmbi i amshuar. Ai i përuli ata që rrinin lart, qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi, e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi. E shkelin me këmbë, e shkelmojnë këmbët e skamnorëve, e shtypin hapat e të varfërve. Udha e të drejtit është e sheshtë; ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë! Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o ZOT, shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd! Të dëshiron shpirti im natën, fryma ime përbrenda të kërkon. Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë, banorët e botës do të mësojnë drejtësinë. Po t'i jepet mëshirë të paudhit, drejtësinë s'ka për ta mësuar, në një vend të ndershëm të keqen do të bëjë, madhështinë e ZOTIT s'ka për ta parë. Dora jote është ngritur, o ZOT, por ata s'e shohin. Do të shohin zellin tënd për popullit tënd e do të turpërohen, zjarri i armiqve të tu ka për t'i përpirë.
Isaia 26:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione. Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë". Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti. Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm. Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur; këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfrit dhe hapat e mjeranëve. Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit. Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd. Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë. Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit. O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t'i përpijë.