Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 2:1-22

Isaia 2:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Fjala, që Isaia, biri i Amosit, pa në vegim për Judën dhe Jerusalemin. Do të ndodhë në ditët e ardhshme, që mali i shtëpisë së ZOTIT do të hedhë rrënjë mbi majat e maleve, përmbi kodra do të lartësohet e kombet mbarë do të vërshojnë drejt tij. Shumë popuj do të vijnë e do të thonë: «Ejani të ngjitemi në malin e ZOTIT, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit, që udhët e tij të na i mësojë, që shtigjeve të tij të ecim». Se prej Sionit do të dalë ligji, prej Jerusalemit fjala e ZOTIT. Ai do ta bëjë gjyqin ndërmjet kombeve, ai do të shpallë vendim për shumë popuj. Do t'i farkëtojnë shpatat e do t'i bëjnë plugje, heshtat në drapërinj do t'i kthejnë. Kombi kundër kombit s'do ta ngrejë shpatën, për luftë më nuk do të ushtrohet kush. Ejani, o ju të shtëpisë së Jakobit, le të ecim në dritën e ZOTIT! Ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, se, ja, plot me doke lindore janë mbushur, plot me shortarë, njëlloj si filistinët, krah për krah me bijtë e të huajve janë lidhur. Toka u është mbushur me argjend e ar, thesaret e tyre nuk kanë të sosur, vendin e kanë plot me kuaj, qerret e tyre nuk kanë të numëruar. Plot e kanë tokën edhe me idhuj, adhurojnë veprën e duarve të veta, çfarë kanë punuar me gishtat e tyre. Prandaj njeriu është përulur, çdonjëri është poshtëruar, por ti mos i fal! Hyr në shkëmb, fshihu në pluhur, para tmerrit të ZOTIT, para shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të përulet, kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet, atë ditë do të lartësohet vetëm ZOTI. Se ZOTI i ushtrive e ka caktuar një ditë, kundër çdo krenari e kryelarti, kundër kujtdo që mbahet me të madh, për ta poshtëruar, kundër gjithë cedrave të Libanit, të lartë e madhështorë, kundër gjithë lisave të Bashanit, kundër gjithë maleve të larta, kundër gjithë kodrave të ngritura, kundër çdo kulle të lartë, kundër çdo muri të fortifikuar, kundër gjithë anijeve të Tarshishit, kundër gjithë lundrave të shtrenjta. Krenaria e njeriut do të përulet, kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet, atë ditë do të lartësohet vetëm ZOTI e idhujt do të zhduken krejt. Do të struken nëpër shpellat e shkëmbinjve e nëpër guvat e tokës, para tmerrit të ZOTIT, para shkëlqimit të madhështisë së tij, kur të ngrihet për të trandur tokën. Atë ditë do t'ua hedhin minjve e lakuriqëve të natës idhujt prej argjendi e prej ari që i kishin bërë vetë për t'i adhuruar. Do të struken nëpër të çarat e shkëmbinjve e nëpër zgavrat e shkrepave, para tmerrit të ZOTIT, para shkëlqimit të madhërisë të tij, kur të ngrihet për të trandur tokën. Mjaft shpresuat te njeriu, në flegrat e tij ka veç frymë. Ç'vlerë mund të ketë ai?

Isaia 2:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Fjala që Isaia, bir i Amotsit, pati si vegim lidhur me Judën dhe Jeruzalemin. Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit. Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t'i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën. O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit! Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si filistenjtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve. Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s'kanë të sosur. Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre. Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal. Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur, kundër gjithë cedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit, kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta; kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar, kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme. Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Idhujt do të hiqen plotësisht. Njerëzit do të hyjnë në shpellat e shkëmbinjve dhe në guvat e tokës përpara tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet. Në këtë ditë njerëzit do t'ua hedhin minjve dhe lakuriqëve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t'i adhuruar, për t'u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet. Mos kini më besim te njeri, në flegrat e të cilit nuk ka veç se një frymë; si mund të mbështetesh tek ai?