Hebrenjve 4:12-16
Hebrenjve 4:12-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t'i japim llogari. Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.
Hebrenjve 4:12-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t'i japim llogari. Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit. Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.