Hebrenjve 12:4-11
Hebrenjve 12:4-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sepse ju ende nuk keni arritur deri atje sa të derdhni gjakun në luftën kundër mëkatit. Ju keni harruar këshillën që Perëndia jua tha si bijve të vet: biri im, mos e përçmo qortimin e Zotit e mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton, se Zoti e qorton atë që e do dhe fshikullon atë që pranon si bir. Durojeni qortimin, se Perëndia po sillet me ju si bij. A ka ndonjë bir që nuk qortohet nga i ati? Nëse nuk do të qortoheni siç qortohen gjithë të tjerët, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por jeni fëmijë të paligjshëm. Pastaj, nëse nderojmë etërit tanë tokësorë kur ata na qortojnë, a nuk duhet t'i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave e të fitojmë jetën? Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij. Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi e drejtësie.
Hebrenjve 12:4-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit, dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: ''Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton, sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen''. Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t'ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korrigjon i ati? Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjesëtarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij. Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t'i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar? Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij. Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.