Hebrenjve 11:8-17
Hebrenjve 11:8-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia. Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit. Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje. Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet. Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm
Hebrenjve 11:8-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte. Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim, sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia. Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin. Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot. Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe. Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe. Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje. Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet. Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm