Hebrenjve 11:31-40
Hebrenjve 11:31-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht. Ç'të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t'ju tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftahun, Davidin, Samuelin dhe profetët, të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja. Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u therën me tehun e shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime e në keqtrajtime. Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut. Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit, nuk e fituan premtimin e Perëndisë. Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
Hebrenjve 11:31-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit. Dhe ç'të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Gedeonin, Barakun, Sansonin, Jefteun, Davidin, Samuelin dhe për profetët, të cilët, me anë të besimit nënshtruan mbretëri, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja. Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë. Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime. U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut. E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar, sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.