Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 11:1-15

Hebrenjve 11:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. Nëpërmjet tij të parët tanë morën dëshminë e mirë. Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë të tillë që gjërat që shohim u bënë nga ato që nuk i shohim. Me anë të besimit, Abeli i kushtoi Perëndisë flijim më të mirë se Kaini. Falë besimit, ai mori dëshminë se ishte i drejtë kur Perëndia pranoi dhuratat dhe ndonëse ka vdekur, ai vazhdon të na flasë. Me anë të besimit, Enoku u mor lart nga Perëndia pa parë vdekje me sy dhe nuk u gjet më mbi tokë, sepse e kishte marrë lart Perëndia. Dëshmohet se, para se të merrej lart, ai i kishte pëlqyer Perëndisë. Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë. Me anë të besimit, Noeu, kur u njoftua nga Perëndia për ato gjëra që nuk shiheshin ende, u bind dhe ndërtoi arkën për të shpëtuar ata të shtëpisë së tij. Nëpërmjet besimit, Noeu gjykoi botën dhe për shkak të besimit Perëndia e bëri trashëgimtar të drejtësisë. Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia. Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit. Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje.

Hebrenjve 11:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen; sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin. Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen. Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmi se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende. Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë. Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë. Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit. Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte. Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim, sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia. Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin. Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot. Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe. Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe. Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.

Hebrenjve 11:1-15

Hebrenjve 11:1-15 ALBBHebrenjve 11:1-15 ALBBHebrenjve 11:1-15 ALBBHebrenjve 11:1-15 ALBBHebrenjve 11:1-15 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë