Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Habakuku 3:1-19

Habakuku 3:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Lutja vajtuese e profetit Habakuk. «O ZOT, dëgjova ç'thuhet për ty, bëmat e tua më tmerrojnë, o ZOT. Përtëriji ato në vitet tona, në vitet tona bëji të ditura. Kur të zemërohesh, mëshirën kujto. Perëndia vjen prej Temanit, i Shenjti prej malit Paran. selah Madhështia e tij mbulon qiejt, lavdia e tij mbush tokën. Porsi drita shkëlqen, rreze duart e tij lëshojnë e atje fshihet fuqia e tij. Murtaja i paraprin, lëngata ndjek hapat e tij. Ai qëndron e toka trandet, hedh vështrimin e kombet dridhen, malet e moçme treten, kodrat e përjetshme përulen, udhët e amshuara janë të tij. Tendat e Kushanit i pashë në mjerim, pëlhurat e tendave të Midianit fërfërijnë. A u zemërove, o ZOT, me lumenjtë? A me lumenjtë u ndez tërbimi yt? A me detin u hidhërove, që po kalëron mbi kuaj, mbi karrocat ngadhënjyese? E zhvesh harkun, e bën gati, shigjetat i ngjesh në kukurë. selah Me lumenj e ndan tokën. Malet të shohin e përpëliten, shtrëngata shpërthen, humnera lëshon britmën e lart duart i ngre. Shtangen dielli e hëna në qiell prej dritës së shigjetave të tua fluturuese, prej shkëlqimit të heshtës tënde flakëruese. Marshon mbi tokë plot furi, kombet i shtyp i zemëruar. Del, që popullin tënd të shpëtosh, të shpëtosh të vajosurin tënd. Kryet e shtëpisë ia shembe të mbrapshtit, e zhveshe nga themeli deri në majë. selah Me heshtën e vet e shpove kreun e ushtarëve që furishëm mësynë për të më degdisur e që thërrasin si të babëzitur, për të përpirë të mjerin që fshihet. E shkele detin me kuajt e tu dhe deti i madh shkumëzon. E dëgjova e barku m'u trazua, buzët m'u drodhën prej zërit, kalbësira m'i kaploi eshtrat e këmbët zunë të më dridhen. Por, i qetë do të pres për fatkeqësinë që do ta zërë popullin që po na sulmon. Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë, hardhia fryt nuk do të japë, mundi i ullirit do të zhbëhet, arat nuk do të prodhojnë ushqim, dhentë do të mungojnë nëpër vatha, e stallat nuk do të kenë qe, unë ZOTIT do t'i ngazëllehem, do të gëzohem me Perëndinë, shpëtimtarin tim. ZOTI, Zoti im, është fuqia ime, m'i bën këmbët si të drerit, në vende të larta më bën të eci».

Habakuku 3:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Lutja e profetit Habakuk mbi Shigionothin. "O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën. Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij. Shkëlqimi i tij ishte si drita, rreze dilnin nga dora e tij dhe aty fshihej fuqia e tij. Para tij ecte murtaja dhe murtaja e ethshme ndiqte hapat e tij. Ai ndalej dhe maste tokën, shikonte dhe i bënte kombet të dridheshin; malet e përjetshëm zhdukeshin, kodrat e lashta uleshin; rrugët e tij janë të përjetshme. Unë i shikoja në dëshpërim çadrat e Kushanit, pavijonet e vendit të Midianit dridheshin. O Zot, a merrte zjarr vallë zemërimi yt kundër lumenjve? A ishte zemërimi yt kundër lumenjve ose tërbimi yt kundër detit, kur shkoje hipur mbi kuajt e tu, mbi qerret e tua të fitores? Ti e ke zbuluar plotësisht harkun tënd, sipas betimeve që ke bërë mbi shigjetat e tua. Ti e ke ndarë tokën me lumenjtë. Malet të panë dhe u drodhën; uragani i ujit kaloi, humnera ka bërë të dëgjohet zëri i saj dhe ka ngritur duart lart. Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese. Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar. Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd, për të shpëtuar të vajosurin tënd; ti ke goditur kokën e shtëpisë së të pabesit, duke e nxjerrë lakuriq nga themelet e deri lart. Ti ke shpuar me shigjetat e tua kokën e fshatrave të tij; ata kishin ardhur si një uragan për t'i shpërndarë, duke lëshuar britma gëzimi, sikur po gllabëronin të mjerin në fshehtësi. Me kuajt e tu ke ecur përmes detit, nëpërmjet një mase të madhe ujërash. Kam dëgjuar dhe të përbrendshmet e mia u drodhën dhe buzët e mia u drodhën në atë zë; një krimb hyri në kockat e mia dhe një frikë e madhe më pushtoi përbrenda. Megjithatë do të rri i qetë ditën Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim. Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t'i bëjë këmbët e mia si ato të drerëve dhe do të më bëjë të eci mbi lartësitë e mia". Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë