Zanafilla 8:1-22
Zanafilla 8:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve. Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha. Atëherë Perëndia i tha Noeut: «Dil nga arka, ti bashkë me gruan tënde, me bijtë e tu e me gratë e bijve të tu. Të gjitha kafshët e çdo lloji që janë me ty, shpendët, bagëtitë e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë, nxirri që të mbushin tokën, të shtohen e të shumohen mbi tokë». Kështu, Noeu doli bashkë me të bijtë, të shoqen e gratë e bijve të tij. Tërë kafshët, zvarranikët e shpendët, gjithçka që lëviz mbi tokë, dolën nga arka sipas specieve të tyre. Pastaj Noeu i ngriti një altar ZOTIT e mbi të i kushtoi një fli shkrumbimi nga çdo kafshë e shpend i pastër. ZOTI ndjeu erën e këndshme e tha në zemrën e vet: «Nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së tij janë të liga që në moshë të re. Dhe as nuk do t'i godas më gjallesat, siç bëra. Sa të jetë toka, të mbjellat e të korrat, i ftohti e i nxehti, vera e dimri, dita e nata, nuk do të marrin fund».
Zanafilla 8:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre. Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi. Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar. Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit. Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve. Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë, dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës. Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka. Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai. Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë. Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë. Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë: "Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty. Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë". Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij. Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjithçka lëviz mbi tokë, sipas familjeve të tyre, dolën nga arka. Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin. Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë. Derisa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.