Zanafilla 7:17-24
Zanafilla 7:17-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.
Zanafilla 7:17-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë. Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave. Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre. Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit. Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës. Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë. Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.