Zanafilla 7:1-9
Zanafilla 7:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». Noeu bëri gjithçka që ZOTI i urdhëroi. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t'u shpëtuar ujërave të përmbytjes. Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia.
Zanafilla 7:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Zoti i tha Noeut: "Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez. Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër; edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut; sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me radhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar". Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave. Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes. Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë, erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë.