Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 7:1-24

Zanafilla 7:1-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». Noeu bëri gjithçka që ZOTI i urdhëroi. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t'u shpëtuar ujërave të përmbytjes. Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Dhe pas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë. Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj ZOTI e mbylli arkën. Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.

Zanafilla 7:1-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Zoti i tha Noeut: "Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse pashë se je i drejtë para meje në këtë brez. Nga çdo lloj kafshe të pastër merr shtatë çifte, meshkuj e femra, si dhe nga kafshët jo të pastra një çift, mashkull dhe femër; edhe nga zogjtë e qiellit merr shtatë çifte, meshkuj e femra, për të ruajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e tërë dheut; sepse mbas shtatë ditëve do të bëj që të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e dyzet net me radhë, dhe do të shfaros nga faqja e dheut tërë qeniet e gjalla që kam krijuar". Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti. Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur mbi tokë ndodhi përmbytja e ujërave. Kështu Noeu u fut në arkë bashkë me bijtë e tij, me të shoqen dhe me gratë e bijve të tij, për shkak të ujërave të përmbytjes. Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët jo të pastra, nga zogjtë e nga të gjitha llojet që zvarriten mbi tokë, erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër, ashtu si e kishte porositur Perëndia atë. Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën. Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën. Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net. Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta; ata dhe të gjitha bishat sipas llojit, tërë bagëtia sipas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën sipas llojit të tyre, tërë zogjtë sipas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji. Ata erdhën te Noeu në arkë, dy nga dy, prej çdo mishi që ka frymë jete; hynë, mashkull e femër, nga çdo mish, ashtu si Perëndia e kishte porositur Noeun; pastaj Zoti i mbylli brenda. Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë. Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave. Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre. Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit. Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës. Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë. Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.