Zanafilla 43:23-28
Zanafilla 43:23-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ai u tha: «Qetësohuni! Mos kini frikë! Ka qenë Perëndia juaj, Perëndia i atit tuaj, ai që ju vuri thesare në thasë. Unë për vete i mora ç'më dhatë». Pastaj iu solli Simeonin. Kur i solli në shtëpinë e Jozefit u dha ujë për të larë këmbët dhe u nxori tagji gomarëve. Ndërkohë që prisnin Jozefin për drekë, ata bënë gati dhuratat, se e morën vesh që do të hanin aty. Kur erdhi Jozefi në shtëpi, i dhanë dhuratat që kishin sjellë e iu përkulën gjer në tokë. Ai i pyeti si ishin e u tha: «A është mirë ati juaj i moshuar për të cilin më treguat? A është ende gjallë?». Ata i thanë: «Shërbëtori yt, ati ynë, është shëndoshë e mirë. Ai është ende gjallë». Pastaj u përkulën me nderim.
Zanafilla 43:23-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin. Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre. Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend. Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë. Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Është ende gjallë?". Ata u përgjigjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.