Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 43:1-34

Zanafilla 43:1-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Zia e bukës ishte e rëndë mbi tokë. Kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, Jakobi, ati i tyre, u tha: «Kthehuni në Egjipt për të na blerë pak ushqime». Juda iu përgjigj: «Ai na paralajmëroi qartë se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne. Nëse e lë vëllanë tonë të vijë bashkë me ne, do të shkojmë e do të blejmë ushqime për ty. Por, nëse nuk e lë, nuk do të shkojmë, sepse ai na tha se nuk mund ta takojmë pa qenë edhe vëllai ynë me ne». Atëherë Izraeli tha: «Përse ma bëtë këtë të keqe duke i treguar se kishit edhe një vëlla tjetër?». Ata i thanë: «Ai na pyeti imtësisht për veten tonë e për farefisin: “A është ati juaj ende gjallë? A keni vëlla tjetër?”. Ne iu përgjigjëm sipas pyetjeve që na bëri. Ku ta dinim ne se do të na thoshte: “Silleni edhe vëllanë tuaj!”?». Juda i tha Izraelit, të atit: «Lëre djalin me mua, që të ngrihemi e të shkojmë dhe kështu do të mbesim gjallë e nuk do të vdesim ne, ti e fëmijët tanë. Unë do të bëhem dorëzanë për të dhe mua do të më kërkosh llogari. Nëse nuk ta kthej djalin e nuk ta vë përpara, do të jem fajtor ndaj teje për tërë jetën. Po të mos ishim vonuar, tani do të ishim kthyer për herë të dytë». Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha: «Nëse është kështu puna, atëherë bëni siç po ju them: mbushini trastat me prodhimet më të mira të vendit dhe çojini atij si dhuratë, pak balsam, pak mjaltë, erëza të mira, mirrë, lajthi e bajame. Merrni me vete dyfishin e parave. Kthejani paratë që ju kishin vënë te gryka e thasëve, se ndoshta është bërë ndonjë gabim. Merreni vëllanë tuaj dhe ngrihuni e shkoni tek ai njeri. Perëndia i gjithëpushtetshëm e zbuttë këtë njeri që t'ju lirojë vëllanë tjetër dhe Benjaminin. Sa për mua, nëse mbes pa djem, le të mbes!». Atëherë morën me vete dhuratat, dyfishin e parave dhe Benjaminin. U ngritën e shkuan në Egjipt e u paraqitën para Jozefit. Kur Jozefi pa Benjaminin bashkë me ta, i tha kujdestarit të shtëpisë: «Çoji këta njerëz në shtëpi. Ther një kafshë e shtro tryezën, se do të hanë drekë me mua». Ai bëri siç i tha Jozefi dhe i solli në shtëpinë e tij. Ata i kapi frika kur i sollën në shtëpinë e Jozefit, se thoshin: «Na ka sjellë këtu për shkak të parave të gjetura në thasë herën e parë. Do të na hidhet e do të na sulet, që të na zërë skllevër e të na marrë gomarët». Prandaj, kur po hynin, iu afruan kujdestarit të shtëpisë së Jozefit e i thanë: «Të na falë imzot, ne kemi ardhur edhe herë tjetër për të blerë grurë. Kur arritëm në një bujtinë, hapëm thasët dhe secili gjeti në grykën e thasëve shumën që kishte paguar. Prandaj i kemi sjellë prapë. Kemi sjellë edhe para të tjera për të blerë ushqime. Ne nuk e dimë kush i futi paratë në thasë». Ai u tha: «Qetësohuni! Mos kini frikë! Ka qenë Perëndia juaj, Perëndia i atit tuaj, ai që ju vuri thesare në thasë. Unë për vete i mora ç'më dhatë». Pastaj iu solli Simeonin. Kur i solli në shtëpinë e Jozefit u dha ujë për të larë këmbët dhe u nxori tagji gomarëve. Ndërkohë që prisnin Jozefin për drekë, ata bënë gati dhuratat, se e morën vesh që do të hanin aty. Kur erdhi Jozefi në shtëpi, i dhanë dhuratat që kishin sjellë e iu përkulën gjer në tokë. Ai i pyeti si ishin e u tha: «A është mirë ati juaj i moshuar për të cilin më treguat? A është ende gjallë?». Ata i thanë: «Shërbëtori yt, ati ynë, është shëndoshë e mirë. Ai është ende gjallë». Pastaj u përkulën me nderim. Jozefi ngriti sytë e pa Benjaminin, të vëllanë, birin e nënës së vet e u tha: «A është ky vëllai juaj i vogël për të cilin më treguat?» dhe vazhdoi: «Perëndia pastë mëshirë për ty, biri im!». Jozefi u mallëngjye kur pa të vëllanë e doli me të shpejtë, se i erdhi për të qarë. Hyri në dhomën e vet e qau. Pastaj e lau fytyrën e doli prej dhomës. E mbajti veten e tha: «Na shtroni të hamë!». Shtruan për Jozefin veç, për vëllezërit veç dhe për egjiptianët që hanin me të veç, se egjiptianët nuk mund të hanin bashkë me hebrenjtë. Për ta kjo ishte e neveritshme. Kur i ulën vëllezërit para tij, me radhë, nga më i madhi deri te më i vogli, ata panë njëri-tjetrin të habitur. Ushqimi u shërbehej prej tryezës së Jozefit, por pjesa e Benjaminit ishte pesë herë me e madhe se e të tjerëve. Kështu, ata pinë e festuan bashkë me Jozefin.

Zanafilla 43:1-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por zija ishte e madhe në vend; dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime". Por Juda iu përgjigj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju". Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime; por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"". Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?". Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?". Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjlit tanë. Unë bëhem garant për të; do t'i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje përgjithnjë. Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë". Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam, Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim. Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri; dhe Perëndia i plotfuqishëm t'ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!". Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit. Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua". Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit. Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t'u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë". Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë: "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime; dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete. Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t'i ketë vënë paratë tona në trastat tona". Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin. Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre. Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend. Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë. Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Është ende gjallë?". Ata u përgjigjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur. Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!". Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau. Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: "Shtrojeni drekën". Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me hebrenjtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për egjiptasit. Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri sipas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu sipas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi. Dhe Jozefi urdhëroi që t'u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre. Dhe pinë dhe u gëzuan me të.