Zanafilla 42:1-9
Zanafilla 42:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç'më shikoni njëri-tjetrin? Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës. Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura».
Zanafilla 42:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Jakobi, pasi mësoi se në Egjipt kishte grurë, u tha bijve të tij: "Pse shikoni njëri-tjetrin?". Pastaj tha: "Ja, dëgjova se në Egjipt ka grurë; shkoni atje poshtë për të blerë grurë për ne, që të mundim të jetojmë dhe të mos vdesim". Kështu dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën në Egjipt për të blerë grurë. Por Jakobi nuk e dërgoi Beniaminin, vëllanë e Jozefit, me vëllezërit e tij, sepse thoshte: "Të mos i ngjasë ndonjë fatkeqësi". Bijtë e Izraelit arritën aty, pra, për të blerë grurë, në mes të të ardhurve të tjerë, sepse në vendin e kanaanenjve mbretëronte zija. Jozefi ishte qeveritari i vendit; ai u shiste grurë tërë njerëzve të vendit; dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë. Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u soll me ta si një i huaj dhe përdori fjalë të ashpra me ta, duke u thënë: "Nga vini?". Ata u përgjigjën: "Nga vendi i Kanaanit për të blerë ushqime". Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë. Atëherë Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë rreth tyre dhe tha: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!".