Zanafilla 41:1-57
Zanafilla 41:1-57 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas plot dy vjetësh, faraoni pa një ëndërr: po qëndronte pranë lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të hijshme e të majme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën nga lumi edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të ligshta e të dobëta. Qëndruan pranë lopëve në breg të lumit Nil, e i hëngrën lopët e hijshme e të majme. Atëherë faraoni u zgjua. Pastaj e zuri gjumi e pa përsëri një ëndërr: shtatë kallinj të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të hollë e të tharë nga era e lindjes, që i përpinë shtatë kallinjtë e plotë. Atëherë faraoni u zgjua. Kishte qenë në ëndërr! Në mëngjes, shpirtin e kishte të trazuar. Dërgoi njerëz e thirri të gjithë magjistarët e dijetarët e Egjiptit. Ua tregoi ëndrrat, por askush nuk mund t'ia shpjegonte. Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var». Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s'ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t'i japë faraonit një përgjigje të mirë». Faraoni i tha: «Në ëndërr po qëndroja në breg të lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të majme e të hijshme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të këputura, shumë të ligshta e të dobëta. Lopë kaq të këqija nuk kisha parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit. Ato i hëngrën shtatë lopët e para që ishin të majme, i përlanë, por nuk merrej vesh që i kishin ngrënë, sepse ishin po aq të ligshta sa në fillim. Atëherë u zgjova. Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj të plotë e të mirë që po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të tharë nga era e lindjes e i përpinë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova magjistarëve, por askush nuk mundi të m'i shpjegojë». Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit janë të njëjta. Faraonit i është treguar se çfarë do të bëjë Perëndia. Shtatë lopët e mira e shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat janë të njëjta. Shtatë lopët e dobëta e të ligshta që dolën pas tyre dhe shtatë kallinjtë bosh e të tharë nga era e lindjes janë shtatë vjet zi buke. Këtë gjë i them faraonit: atij i është zbuluar se çfarë do të bëjë Perëndia. Ja, tërë Egjipti do të ketë shtatë vite të begatshme. Pas tyre do të vijnë shtatë vite zi buke dhe gjithë begatia do të harrohet në tokën e Egjiptit. Zia e bukës do ta shkatërrojë vendin. Begatia e tokës nuk do të mbahet më mend, se zia që do të vijë më pas do të jetë shumë e madhe. Sa për ëndrrën që t'u përsërit dy herë, do të thotë se vendimi është marrë nga Perëndia dhe se ai ka për të vepruar shumë shpejt. Prandaj, faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar e të ditur që ta vendosë në krye të Egjiptit. Faraoni të caktojë mbikëqyrës në tokën e Egjiptit që, gjatë shtatë viteve të begatshme, të marrë të pestën e prodhimeve. Mbikëqyrësit të mbledhin të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vijnë. Të grumbullojnë grurë në emër të faraonit e ta ruajnë si ushqim për qytetet. Kjo, do të jetë tëmotje për vendin gjatë shtatë viteve të zisë që do të mbulojë tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të marrë fund nga zia e bukës». Kjo gjë i pëlqeu faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. Atëherë faraoni u tha shërbëtorëve: «A mund të gjejmë një njeri të tillë, në të cilin është shpirti i Perëndisë?!». Faraoni i tha Jozefit: «Meqë Perëndia t'i ka bërë të ditura të gjitha këto, nuk ka njeri më të zgjuar e të ditur se ty. Ti do të jesh përgjegjës për shtëpinë time e gjithë populli im do t'i bindet fjalës sate. Unë do të jem më i madh se ti vetëm sa i përket fronit». Faraoni i tha Jozefit: «Ja, të kam vënë në krye të gjithë tokës së Egjiptit». Pastaj hoqi unazën e ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me rroba liri e i vuri në qafë një varëse të artë. E vuri në karrocë si të dytë dhe para tij thërrisnin: «Gjunjëzohuni!». Kështu, faraoni e vuri në krye të tokës së Egjiptit. Pastaj i tha: «Unë jam faraoni. Pa lejen tënde askush në tokën e Egjiptit nuk do të luajë as dorë e as këmbë». Faraoni e quajti Jozefin, Cafenat Paneah e i dha për grua Asenatën, bijën e Potiferait, priftit të Onit. Pastaj Jozefi doli nëpër Egjipt. Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur doli para faraonit, mbretit të Egjiptit. Jozefi u largua nga faraoni dhe përshkoi tërë tokën e Egjiptit. Gjatë shtatë viteve të begatshme, toka prodhoi plot. Jozefi i mblodhi gjithë ushqimet gjatë shtatë viteve të begata që gëzoi Egjipti e i grumbulloi nëpër qytete. Në çdo qytet mblodhi ushqimet e fushave përreth. Ai mblodhi shumë grurë, aq shumë sa rëra e detit, saqë ndaloi së mbajturi llogari, se ishte e pamundur. Para se të fillonin vitet e zisë, Jozefit i lindën dy djem prej Asenatës, bijës së Potiferait, priftit të Onit. Të parëlindurin e quajti Manase, sepse tha: «Perëndia më bëri t'i harroj të gjitha mundimet dhe shtëpinë e atit tim». Të dytin e quajti Efraim, sepse tha: «Perëndia më bëri të frytshëm në tokën e mjerimit». Si shkuan shtatë vitet e begatshme në tokën e Egjiptit, filluan shtatë vitet e zisë, ashtu siç kishte thënë Jozefi. Në të gjitha vendet pllakosi zia e bukës, por në tërë tokën e Egjiptit kishte bukë. Kur tërë vendin e Egjiptit e zuri uria, populli i kërkoi bukë faraonit. Atëherë ai u tha: «Shkoni te Jozefi e bëni çfarë t'ju thotë». Kur zia e bukës mbuloi gjithë faqen e dheut, Jozefi hapi të gjithë drithnikët e u shiti grurë egjiptianëve, se zia e bukës ishte e rëndë në tokën e Egjiptit. Njerëz nga të gjitha anët vinin në Egjipt për të blerë grurë nga Jozefi, se zia e bukës ishte e rëndë në të gjithë tokën.
Zanafilla 41:1-57 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi, dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe. Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit. Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua. Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm. Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre. Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr. Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t'ia interpretonte Faraonit. Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia. Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin. Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij. Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij. Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht sipas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin". Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni. Dhe Faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjendje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh". Jozefi iu përgjigj Faraonit duke i thënë: "Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit". Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit, kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe. Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit. Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme; por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova. Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur; dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve. Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje të më jepte një shpjegim". Atëherë Jozefi i tha Faraonit: "Ëndrrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë. Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr. Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke. Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë. Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit; por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin. Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë. Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt. Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit. Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikëqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut. Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve. Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija". Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij. Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: "A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?". Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Me qenë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti. Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t'u bindet urdhrave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti". Faraoni i tha Jozefit: "Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit". Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë. E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: "Në gjunjë!". Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit. Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: "Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit". Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit. Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit. Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë; dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth. Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme. Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi. Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: "Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim". Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim". Shtatë vitet e bollëkut që qenë në shtetin e Egjiptit morën fund, dhe filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë. Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t'i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë egjiptasve: "Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t'ju thotë ai". Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë egjiptasve. Por zija u bë më e rëndë në vendin e Egjiptit. Kështu njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë, sepse zija qe shtuar mbi tërë tokën.