Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 39:6-20

Zanafilla 39:6-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Potifari ia la në dorë Jozefit gjithçka që kishte e nuk shqetësohej më për asgjë, përveç bukës që hante. Jozefi ishte i bukur e i pashëm. Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin Jozefit e i tha: «Fli me mua!». Jozefi nuk pranoi e i tha: «Falë meje, imzot nuk shqetësohet më për shtëpinë e gjithçka që ka ma ka lënë në dorë. Askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë. Ai nuk më ka mohuar asgjë përveç teje, sepse ti je gruaja e tij. Si të bëj një gjë kaq të keqe e të mëkatoj kundër Perëndisë?». Ndonëse ajo i fliste përditë, Jozefi nuk pranoi të shtrihej e të flinte me të. Por një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punët e veta dhe në shtëpi nuk kishte njeri. Atëherë ajo e kapi prej rrobave e i tha: «Fli me mua!». Ai ia la rrobat në dorë e iku e doli përjashta. Kur pa se Jozefi ia la rrobat në dorë e iku përjashta, thirri njerëzit e shtëpisë e u tha: «Shikoni, im shoq na solli një hebre që tallet me ne. Ai erdhi tek unë që të flinte me mua, por unë bërtita me të madhe. Kur pa se e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku e doli përjashta». Ajo i mbajti rrobat e tij pranë, derisa i zoti erdhi në shtëpi. Pastaj i tha të njëjtën gjë: «Skllavi hebre që na solle, erdhi tek unë që të më ngacmojë. Por kur e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku përjashta». Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: «Kështu ma bëri shërbëtori yt», u zemërua. E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg

Zanafilla 39:6-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse. Mbas gjithë këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij ia vuri sytë Jozefit dhe i tha: "Bjerë e fli me mua". Por ai e refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, zotëria im nuk shqetësohet për ato që ka lënë në shtëpi me mua dhe ka lënë në duart e mia gjithçka zotëron. Nuk ka asnjë më të madh se unë në këtë shtëpi; ai nuk më ka ndaluar asgjë veç teje, sepse je gruaja e tij. Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?". Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t'i jepej asaj. Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve. Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: "Eja të shtrihesh me mua". Por ai ia la në dorë rrobën e tij, iku duke vrapuar jashtë. Kur ajo pa që ai ia kishte lënë në dorë rrobën e tij dhe kishte ikur jashtë, thirri shërbëtorët e vet dhe u tha: "Shikoni, ai na solli në shtëpi një hebre për t'u tallur me ne; ai erdhi tek unë për të rënë me mua, por unë bërtita me të madhe. Me të dëgjuar që unë ngrita zërin dhe fillova të bërtas, ai la rrobën e tij pranë meje, iku dhe vrapoi jashtë". Kështu ajo mbajti pranë saj rrobën e tij, derisa u kthye në shtëpi zotëria e saj. Atëherë ajo i foli në këtë mënyrë: "Ai shërbëtor hebre, që ti na solle, erdhi tek unë për të më vënë në lojë. Por sa ngrita zërin dhe bërtita, ai la rrobën pranë meje dhe iku jashtë". Kështu, kur zotëria e saj dëgjoi fjalët e gruas së vet që i fliste në këtë mënyrë duke thënë: "Shërbëtori yt më ka bërë këtë gjë!", ai u inatos. Atëherë zotëria e Jozefit e mori dhe e futi në burg, në vendin ku ishin mbyllur të burgosurit e mbretit. Kështu ai mbeti në atë burg.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë