Zanafilla 33:3-11
Zanafilla 33:3-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ai vetë shkoi para tyre e u përkul gjer në tokë shtatë herë, derisa iu afrua të vëllait. Por Esau vrapoi për ta takuar dhe e përqafoi. Iu hodh në qafë, e puthi e qanë që të dy. Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët e tha: «Çfarë i ke këta?». Ai iu përgjigj: «Këta janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd». Atëherë shërbëtoret bashkë me fëmijët u afruan e u përkulën me nderim. U afrua edhe Lea me fëmijët e saj e u përkulën me nderim. Në fund u afrua Jozefi e Rakela e u përkulën me nderim. Pastaj Esau tha: «Ç'ke ndër mend të bësh me gjithë këto që më solle?». Jakobi iu përgjigj: «I solla që të gjej hir para teje, imzot». Esau tha: «Unë kam mjaft, o vëllai im. Çfarë ke mbaje për vete». Por Jakobi tha: «Jo, të lutem. Nëse kam gjetur hir para teje do ta pranosh këtë dhuratë nga dora ime, sepse të pashë ballë për ballë, si të shihja ballë për ballë Perëndinë, e ti prapë më prite mirë. Pranoje, pra dhuratën që të solla, se Perëndia është treguar i mëshirshëm me mua e unë kam plot». Kështu, ai nguli këmbë dhe Esau pranoi.
Zanafilla 33:3-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë derisa arriti pranë vëllait të vet. Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë. Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t'i japë shërbyesit tënd". Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën. U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata. Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Është për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim". Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja". Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë. Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.