Zanafilla 32:13-21
Zanafilla 32:13-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ti vetë the: “Me të vërtetë do të të bëj mirë e do t'i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit që nuk numërohet, se është e shumtë”». Jakobi e kaloi natën aty. Pastaj zgjodhi nga ç'kishte me vete një dhuratë për vëllanë e tij, Esaun. Ai zgjodhi dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele, njëzet desh, tridhjetë deve qumështi bashkë me të vegjlit, dyzet lopë, dhjetë dema, njëzet gomarica e dhjetë gomarë. U dorëzoi shërbëtorëve të tij çdo kope më vete e u tha: «Shkoni përpara meje e mbani një largësi mes kopeve». Pastaj urdhëroi të parin: «Kur Esau, im vëlla, të të takojë e të të pyesë: “I kujt je? Ku po shkon e të kujt janë tërë këto kafshë para teje?”, ti do t'i thuash: “Janë të Jakobit, shërbëtorit tënd. Kjo është një dhuratë e dërguar për timzot Esaun. Ja, ai vetë po vjen pas nesh”». Po kështu Jakobi e urdhëroi të dytin, të tretin dhe tërë ata që shkonin pas kopeve, duke u thënë: «Të njëjtat fjalë do t'i thoni Esaut kur ta takoni. Po ashtu do t'i thoni: “Ja, Jakobi, shërbëtori yt, po vjen pas nesh”», sepse mendonte: «Do ta zbus me dhuratat që po i dërgoj përpara meje. E pastaj do ta takoj e ndoshta ai do të më pranojë».
Zanafilla 32:13-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu Jakobi e kaloi natën në atë vend, dhe nga ato që kishte nëpër duar ai zgjodhi një dhuratë për vëllanë e tij Esau: dyqind dhi, njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh, tridhjetë deve qumështore me të vegjlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë mëza. Pastaj ua dorëzoi shërbyesve të tij, çdo kope për llogari të vet, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni para meje dhe lini një farë hapësire midis një kopeje dhe tjetrës". Dhe i dha urdhër të parit: "Kur vëllai im Esau do të të takojë dhe do të të pyesë: "I kujt je ti dhe ku shkon? Të kujt janë këto kafshë para teje?", ti do të përgjigjesh: "Janë të shërbëtorit tënd Jakobit; është një dhuratë e dërguar zotërisë tim Esau; dhe ja, ai vetë po vjen mbas nesh"". Ai i dha të njëjtin urdhër të dytit, të tretit dhe gjithë atyre që ndiqnin kopetë, duke u thënë: "Në këtë mënyrë do t'i flisni Esaut kur do ta takoni; dhe do t'i thoni: "Ja, shërbëtori yt Jakobi është duke ardhur vetë pas nesh"". Sepse thoshte: "Unë do ta qetësoj me dhuratën që më paraprin e pastaj do të shikoj fytyrën e tij; ndofta do të më presë mirë". Kështu dhurata shkoi para tij, por ai e kaloi natën në fushim.