Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 31:22-42

Zanafilla 31:22-42 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ditën e tretë, i treguan Labanit se Jakobi kishte ikur. Atëherë Labani bashkë me vëllezërit e vet e ndoqi për shtatë ditë dhe e arriti në malin e Gileadit. Perëndia iu shfaq Laban Arameasit natën në ëndërr e i tha: «Ruaj se i thua gjë Jakobit!». Kur Labani e arriti Jakobin, Jakobi e kishte ngritur tendën në malin e Gileadit. Edhe Labani bashkë me vëllezërit i ngritën tendat po aty. Atëherë Labani i tha Jakobit: «Çfarë bëre kështu? Më mashtrove e m'i rrëmbeve vajzat sikur të ishin robinja lufte. Përse ike tinëz e më mashtrove? Përse nuk më tregove që të të përcillja me gëzim e me këngë, me lodër e me qeste? Përse nuk më le t'i puth bijtë e bijat e mia? Bëre marrëzi! Tani më ke rënë në dorë, por Perëndia i atit tënd më tha mbrëmë: “Ruaj se i thua gjë Jakobit!”. Ti u largove se të ka marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, po idhujt pse m'i vodhe?». Jakobi iu përgjigj: «Ika se pata frikë. Mendoja se do të m'i merrje me dhunë bijat e tua. Atij që do t'ia gjesh idhujt e tu, ai nuk do të jetojë më. Kërko e merr çka të përket në prani të vëllezërve tanë». Ai nuk e dinte se idhujt i kishte vjedhur Rakela. Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas e në tendën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pasi doli nga tenda e Leas, hyri në atë të Rakelës. Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt, i kishte vënë në samarin e devesë dhe ishte ulur mbi to. Labani rrëmoi në gjithë tendën, por nuk gjeti gjë. Ajo i tha të atit: «Të mos zemërohet imzot që nuk mund të ngrihem para tij, sepse jam me të përmuajshmet e grave». Ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt. Atëherë Jakobi u zemërua e shfreu kundër Labanit: «Çfarë faji bëra? Çfarë mëkati bëra që të më ndjekësh kështu e të rrëmosh në çdo gjë timen? A gjete gjë tënden? Nxirri, pra, para vëllezërve të mi e të tu që ata të gjykojnë mes nesh. Gjatë njëzet vjetëve që kam qenë me ty nuk të dështuan as delet, as dhitë dhe deshtë e kopesë nuk t'i hëngra. Nuk të solla asnjë bagëti të shqyer nga bishat, sepse dëmin e paguaja vetë. Çfarëdo vidhej ditën apo natën e kërkoje nga dora ime. Ditën më këpuste vapa e natën ngrica e nuk vija gjumë në sy. Njëzet vjet kam qenë në shtëpinë tënde. Katërmbëdhjetë vjet të shërbeva për bijat e tua e gjashtë vjet për kopetë, ndërsa ti ma ndërrove pagën dhjetë herë. Po të mos kishte qenë me mua Perëndia i Abrahamit, atit tim, dhe Tmerri i Isakut, ti tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i pa vuajtjet e mundin tim dhe prandaj të qortoi mbrëmë».

Zanafilla 31:22-42 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur. Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit. Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: "Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keq". Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit. Atëherë Labano i tha Jakobit: "Ç'bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte? Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste. Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mend. Tani unë kam në dorë t'ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t'i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq". Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?". Atëherë Jakobi iu përgjigj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua. Por kushdo qoftë ai të cilit do t'i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela. Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës. Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë. Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt. Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanon; dhe Jakobi iu përgjigj dhe i tha Labanos: "Cili është faji im, cili është mëkati im, që ti të më ndjekësh me aq tërbim? Ti rrëmove në tërë gjërat e mia. Çfarë gjete nga të gjitha ato që i përkasin shtëpisë sate? Vëri këtu para vëllezërve të mi dhe vëllezërve të tu dhe le të vendosin ata midis nesh të dy! Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate. Unë nuk t'i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën. Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë. Kam qenë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time. Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qenë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij".