Zanafilla 31:17-35
Zanafilla 31:17-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kështu, Jakobi u ngrit e i vuri bijtë e gratë mbi deve. Mori bagëtinë e tërë pasurinë që kishte fituar në Padan Aram e u nis për në Kanaan, tek Isaku, ati i tij. Ndërsa Labani kishte shkuar për të qethur dhentë, Rakela vodhi idhujt e të atit. Jakobi e mashtroi Laban Arameasin, sepse nuk i tregoi se do të largohej. Kështu, Jakobi u largua me gjithçka kishte. Ai u ngrit, kaloi lumin Eufrat e u drejtua kah mali i Gileadit. Ditën e tretë, i treguan Labanit se Jakobi kishte ikur. Atëherë Labani bashkë me vëllezërit e vet e ndoqi për shtatë ditë dhe e arriti në malin e Gileadit. Perëndia iu shfaq Laban Arameasit natën në ëndërr e i tha: «Ruaj se i thua gjë Jakobit!». Kur Labani e arriti Jakobin, Jakobi e kishte ngritur tendën në malin e Gileadit. Edhe Labani bashkë me vëllezërit i ngritën tendat po aty. Atëherë Labani i tha Jakobit: «Çfarë bëre kështu? Më mashtrove e m'i rrëmbeve vajzat sikur të ishin robinja lufte. Përse ike tinëz e më mashtrove? Përse nuk më tregove që të të përcillja me gëzim e me këngë, me lodër e me qeste? Përse nuk më le t'i puth bijtë e bijat e mia? Bëre marrëzi! Tani më ke rënë në dorë, por Perëndia i atit tënd më tha mbrëmë: “Ruaj se i thua gjë Jakobit!”. Ti u largove se të ka marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, po idhujt pse m'i vodhe?». Jakobi iu përgjigj: «Ika se pata frikë. Mendoja se do të m'i merrje me dhunë bijat e tua. Atij që do t'ia gjesh idhujt e tu, ai nuk do të jetojë më. Kërko e merr çka të përket në prani të vëllezërve tanë». Ai nuk e dinte se idhujt i kishte vjedhur Rakela. Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas e në tendën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pasi doli nga tenda e Leas, hyri në atë të Rakelës. Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt, i kishte vënë në samarin e devesë dhe ishte ulur mbi to. Labani rrëmoi në gjithë tendën, por nuk gjeti gjë. Ajo i tha të atit: «Të mos zemërohet imzot që nuk mund të ngrihem para tij, sepse jam me të përmuajshmet e grave». Ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.
Zanafilla 31:17-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë, dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e kanaanenjve. Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit. Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte. Kështu ai iku me gjithçka kishte; u ngrit, kaloi lumin dhe u drejtua për në malin e Galaadit. Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur. Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit. Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: "Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keq". Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit. Atëherë Labano i tha Jakobit: "Ç'bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte? Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste. Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mend. Tani unë kam në dorë t'ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t'i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq". Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?". Atëherë Jakobi iu përgjigj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua. Por kushdo qoftë ai të cilit do t'i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela. Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës. Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë. Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.