Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 30:1-43

Zanafilla 30:1-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur pa që nuk mund t'i lindte fëmijë Jakobit, Rakela e pati zili të motrën e i tha Jakobit: «Më jep bij, përndryshe do të vdes!». Jakobi u zemërua me Rakelën e i tha: «Mos jam Perëndia unë? Ai ta ka mohuar frytin e barkut». Ajo tha: «Ja ku e ke Bilhën, shërbëtoren time. Fli me të. Kështu, ajo do të lindë në prehrin tim e prej saj do të bëhem edhe unë me fëmijë». Rakela i dha Jakobit për grua Bilhën, skllaven e vet, e ai fjeti me të. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Rakela tha: «Perëndia më dha të drejtë, ma dëgjoi edhe mua zërin e më dha një djalë». Prandaj e quajti Dan. Bilha, skllavja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit edhe një djalë. Atëherë Rakela tha: «Fort u përlesha me time motër, por më në fund fitova». Prandaj e quajti Neftali. Kur Lea pa që nuk mund të lindte më, mori Zilfën, skllaven e vet, e ia dha Jakobit për grua. Ajo i lindi Jakobit një djalë. Atëherë Lea tha: «Pata fat!». Prandaj e quajti Gad. Zilfa, skllavja e Leas, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër. Lea tha: «Lum unë, se gratë do të më quajnë të lume». Prandaj e quajti Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli në fushë, gjeti madërgona e ia dha të ëmës, Leas. Atëherë Rakela i tha: «Më jep disa nga madërgonat që të solli yt bir». Por ajo iu përgjigj: «Pak të duket që më more tim shoq, tani dashke të më marrësh edhe madërgonat e tim biri!». Rakela i tha: «Në këmbim të madërgonave të tët biri, Jakobi do të flejë sonte me ty». Në mbrëmje Jakobi u kthye nga fusha dhe Lea i doli para e i tha: «Do të flesh me mua, se të kam blerë me madërgonat e tim biri». Atë natë ai fjeti me të. Perëndia e dëgjoi Lean. Ajo mbeti shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e pestë. Atëherë Lea tha: «Perëndia ma dha shpërblimin tim, sepse i dhashë tim shoqi skllaven time». Prandaj e quajti Isahar. Lea mbeti përsëri shtatzënë e i lindi Jakobit djalin e gjashtë. Ajo tha: «Perëndia më dha një dhuratë të mirë. Kësaj here im shoq do të më nderojë, sepse i kam lindur gjashtë djem». Prandaj e quajti Zabulon. Pastaj lindi një vajzë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua për Rakelën. Ai e dëgjoi e i dha fëmijë. Ajo mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Perëndia ma hoqi turpin». Prandaj e quajti Jozef e tha: «ZOTI më shtoftë edhe me një djalë tjetër». Kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha Labanit: «Më lër të shkoj në vendin tim e në tokën time. M'i jep gratë e bijtë e mi, për të cilët të shërbeva, që të shkoj. Ti e di sa të kam shërbyer». Labani iu përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para teje, qëndro me mua, sepse kam parë se, falë teje, ZOTI më ka bekuar. Më thuaj sa e do pagën dhe unë do të ta jap». Por Jakobi i tha: «Ti e di sa të kam shërbyer e sa shumë t'u shtuan bagëtitë nën kujdesin tim. Në çdo gjë që bëra ZOTI të bekoi. Edhe ato pak që kishe para se të vija unë, u shtuan e u shumuan. A nuk ka ardhur koha të punoj edhe për shtëpinë time?». Labani i tha: «Çfarë do që të të jap?». Jakobi i tha: «Nuk dua asgjë, veç bëj si të them. Më lër t'i kullot e t'i ruaj përsëri bagëtitë e tua, të shkoj sot mes tyre e të ndaj mënjanë çdo dele e dhi laramane ose pikaloshe e çdo qengj të zi. Ky do të jetë shpërblimi im. Drejtësia ime do të duket nesër kur të vish për të parë shpërblimin tim. Çdo dhi që nuk është laramane ose pikaloshe e çdo qengj që nuk është i zi, do të quhet i vjedhur». Labani tha: «Le të bëhet siç the ti». Atë ditë Labani ndau mënjanë cjeptë e dhitë laramane e pikaloshe, çdo kafshë me njollë të bardhë, tërë qengjat e zinj e ua dha të bijve. Ai u largua tre ditë rrugë larg Jakobit. Jakobi kulloste pjesën tjetër të bagëtive të Labanit. Atëherë Jakobi mori thupra të njoma plepi, bajameje e rrapi dhe ua qëroi lëvoren vende-vende që t'u dukej e bardha e kërcellit. Pastaj i vendosi në koritë, në rrjedhat e ujit, që të ishin përballë bagëtive kur vinin për të pirë, sepse ato mbarseshin kur vinin për të pirë. Bagëtitë u mbarsën përballë thuprave e pollën keca laramanë e pikaloshë. Jakobi i ndau edhe delet e i vuri përballë bagëtive të Labanit që ishin laramane e të zeza. E kështu, ai bëri bagëtitë e veta dhe nuk i bashkoi me ato të Labanit. Sa herë që bagëtitë e shëndosha mbarseshin, ai i vinte thuprat në koritë para tyre, që të mbarseshin pranë thuprave. Por, kur bagëtitë ishin të dobëta, ai nuk i vinte thuprat. Kështu, Labanit i mbetën të dobëtat, ndërsa Jakobit të shëndoshat. Jakobi u pasurua tej mase e pati shumë bagëti, shërbëtorë, shërbëtore, deve e gomarë.

Zanafilla 30:1-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes". Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?". Ajo u përgjigj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë". Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo. Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit. Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan. Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit. Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali. Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit. dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad. Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë. Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher. Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!". Ajo iu përgjigj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty". Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të. Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë. Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar. Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë. Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon. Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina. Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme; kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim". Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër". Mbas lindjes së Jozefit nga Rakela, Jakobi i tha Labanos: "Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim. Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lërmë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin që të kam bërë". Por Labano i tha: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam prekur me dorë që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd". Pastaj tha: "Ma cakto pagesën tënde dhe unë do të ta jap". Jakobi iu përgjigj: "Ti e di si të kam shërbyer, dhe çfarë i ka ndodhur bagëtisë sate në duart e mia. Sepse ajo që ti kishe para se të vija unë ishte pak, por tani është rritur shumë; dhe Zoti të ka bekuar kudo që kam qenë unë. Por tani kur do të punoj edhe për shtëpinë time?". Labano tha: "Sa duhet të të jap?". Jakobi iu përgjigj: "Nuk duhet të më japësh asgjë; në qoftë se ti do të bësh atë që po të them, do të mbetem këtu për të kullotur kopetë e tua dhe për t'u kujdesur për to. Do të kaloj ditën e sotme në mes tërë kopeve të tua dhe do të veçoj të gjitha kafshët laramane dhe pikalarme, të gjithë qengjat e zinj dhe të gjitha dhitë lara-lara ose pika-pika. Dhe këto kafshë do të jenë pagesa ime. Kështu tani e tutje ndershmëria ime do të përgjigjet para teje për personin tim, kur do të vish të kontrollosh pagesën time; çdo bagëti që nuk është laramane a me pika midis dhive dhe çdo qengj jo i zi do të konsiderohet i vjedhur po të gjendet pranë meje". Labano tha: "Mirë, le të bëhet ashtu si thua ti!". dhe po atë ditë veçoi cjeptë vija-vija dhe me pika dhe të gjitha dhitë laramane dhe pika pika, çdo bagëti që kishte një njollë të bardhë apo çdo dele e zezë midis dhenve, dhe ua la bijve të vet. Dhe Labano vendosi një distancë prej tri ditësh me këmbë midis vetes së tij dhe Jakobit; dhe Jakobi kulloste pjesën që mbeti nga kopetë e Labanos. Dhe Jakobi mori disa purteka të njoma plepi, bajameje dhe rrapi; u bëri disa zhvoshkje, duke zbuluar të bardhën e purtekave. Pastaj i vendosi purtekat që kishte zhvoshkur që të shikoheshin nga dhentë në koritë, domethënë në vendet ku kopetë vinin për të pirë ujë; dhe kafshët vinin në afsh kur vinin për të pirë. Kështu kafshët vinin në afsh përpara purtekave dhe pillnin qengja vija-vija, lara-lara dhe pika pika. Pastaj Jakobi i veçonte këta qengja dhe bënte që kopetë t'i kthenin sytë nga kafshët vija-vija dhe nga tërë ato të zeza në kopenë e Labanos. Ai formoi kështu kope të veçanta, që nuk i bashkoi me kopetë e Labanos. Por ndodhte që sa herë kafshët e fuqishme të kopesë vinin në afsh, Jakobi i vinte purtekat në koritë para deleve, në mënyrë që këto të hynin në afsh afër purtekave; Por kur kafshët e kopesë ishin të dobëta, nuk i vinte ato; kështu që qengjat e dobëta ishin të Labanos dhe ata të shëndoshë të Jakobit. Kështu ai u bë shumë i pasur dhe pati një numër të madh kopesh, shërbëtoresh, shërbëtorësh, devesh dhe gomarësh.