Zanafilla 3:1-7
Zanafilla 3:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: "Nga fruta e pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruta e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"". Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar.
Zanafilla 3:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që ZOTI Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen». Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.