Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 3:1-15

Zanafilla 3:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që ZOTI Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen». Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve. Pastaj dëgjuan zërin e ZOTIT Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e ZOTIT Perëndi mes pemëve të kopshtit. ZOTI Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».

Zanafilla 3:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: "Nga fruta e pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruta e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"". Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar. Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?". Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha". Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?". Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra". Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj". Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".