Zanafilla 28:1-9
Zanafilla 28:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde. Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh. Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj». Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut. Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit. Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram. Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit, shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit.
Zanafilla 28:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Isaku thiri Jakobin, e bekoi, i dha këtë urdhër dhe i tha: "Mos u marto me një grua nga Kanaani. Çohu, shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Bethuelit, i ati i nënës sate, dhe merr për grua një nga bijat e Labanos, vëllait të nënës sate. Perëndia i plotfuqishëm të bekoftë, të bëftë pjellor dhe të shumoftë, në mënyrë që ti të bëhesh një kuvend popujsh, dhe të dhëntë bekimin e Abrahamit ty dhe pasardhësve të tu, në mënyrë që ti të jesh zot i vendit ku banon si i huaj dhe që Perëndia ia fali Abrahamit". Kështu Isaku e nisi Jakobin, që shkoi në Padan-Aram te Labano, biri i Bethuelit, Arameu, i vëllai i Rebekës, nëna e Jakobit dhe e Esaut. Por Esau pa që Isaku kishte bekuar Jakobin dhe e kish nisur në Padan-Aram që të merrte atje një grua por, duke e bekuar, i kishte dhënë këtë urdhër duke thënë: "Mos merr grua nga bijat e Kanaanit"; dhe Jakobi i ishte bindur të atit dhe nënës së tij, dhe ishte nisur për në Padan-Aram. Kur Esau u bind se bijat e Kanaanit shiheshin me sy të keq nga Isaku, babai i tij, shkoi tek Ismaeli dhe mori Mahalathin, të bijën e Ismaelit, që ishte biri i Abrahamit, dhe motër e Nebajothit, me qëllim që ajo të bëhej gruaja e tij, përveç grave të tjera që kishte.