Zanafilla 25:29-34
Zanafilla 25:29-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë, Esau erdhi prej fushës i lodhur e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?». Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.
Zanafilla 25:29-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur. Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arsye e quajtën Edom. Por Jakobi iu përgjigj: "Më shit më parë parëbirninë tënde". Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç'dobi kam nga parëbirnia?". Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij. Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.