Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:12-27

Zanafilla 24:12-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

e tha: «O ZOT, Perëndia i timzot Abrahamit, ma bëj mbarë sot e tregohu mirëdashës me timzot Abrahamin. Ja, unë po qëndroj pranë pusit dhe vajzat e banorëve të qytetit po dalin për të mbushur ujë. Vajza së cilës do t'i them: “Të lutem, ule shtambën që të pi” e ajo të më përgjigjet: “Pi ti e po u jap për të pirë edhe deveve”, ajo të jetë vajza që ke caktuar për shërbëtorin tënd, Isakun. Kështu do ta di që je treguar mirëdashës me timzot». Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse ZOTI ia kishte sjellë mbarë, apo jo. Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». Atëherë ai u përkul, adhuroi ZOTIN, e tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot».

Zanafilla 24:12-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim! Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë. Bëj që vajza së cilës do t'i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t'u dhënë për të pirë edhe deveve të tu", të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim". Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart. Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote". Ajo u përgjigj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë. Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, derisa të ngopen me ujë". Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij. Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij. Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklash ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha: "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?". Ajo u përgjigj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor". Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën". Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë