Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 22:1-14

Zanafilla 22:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj». Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg. Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju». Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë. Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?». Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë. Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve. Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin. Por engjëlli i ZOTIT i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm». Abrahami ngriti sytë e pa një dash me brirët të ngatërruar në një shkurre. Shkoi, e mori dhe e flijoi në vend të të birit. Abrahami e quajti atë vend «ZOTI këqyr», sikurse thuhet edhe sot: «Në malin e ZOTIT ai këqyret!».

Zanafilla 22:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: "Abraham!" Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e moriahëve dhe ofroje si holokaust në një nga malet që do të të tregoj". Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për holokaustin; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin. Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush". Kështu Abrahami mori drutë e holokaustit dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy. Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjigj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për holokaustin?". Abrahami u përgjigj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për holokaustin". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë. Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve. Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin. Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke". Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si holokaust në vend të të birit. Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".