Zanafilla 2:5-15
Zanafilla 2:5-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se ZOTI Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. ZOTI Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat. ZOTI Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante.
Zanafilla 2:5-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën. Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji. Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori; dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit. Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit. Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati. Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante.