Zanafilla 2:4-9
Zanafilla 2:4-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan. Ditën kur ZOTI Perëndi krijoi tokën e qiellin, asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se ZOTI Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. ZOTI Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes.
Zanafilla 2:4-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin. Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën. Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.