Zanafilla 2:18-24
Zanafilla 2:18-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t'i bëj dikë përkrah si veten e tij». Dhe ZOTI Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t'i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t'u vinte, ai do të ishte emri i tyre. Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. Atëherë ZOTI Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. Me brinjën që mori nga njeriu ZOTI Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu tha: «Kjo tani, është kockë prej kockave të mia, mish prej mishit tim. Do të quhet grua, se nga burri ajo u nxor». Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish.
Zanafilla 2:18-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis". Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t'i quante; dhe sido që njeriu t'i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.