Zanafilla 18:1-8
Zanafilla 18:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI iu shfaq Abrahamit te lisat e Mamreut, në zhegun e ditës, kur ai po rrinte në të hyrë të tendës. Abrahami ngriti sytë dhe, ja, pa tre burra që po qëndronin para tij. Si i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t'i takonte, u përkul me nderim përtokë, e tha: «O Zoti im, nëse kam gjetur hir para teje, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. Do t'ju sjellin pak ujë që të lani këmbët e të pushoni nën pemë. Unë po ju sjell një kafshatë bukë që të merrni veten, meqë kaluat nga shërbëtori juaj. Pastaj vazhdoni rrugën». Ata iu përgjigjën: «Bëj, pra, siç the». Abrahami nxitoi drejt tendës te Sara e i tha: «Shpejt, gatuaj tre masa majë mielli e bëj kuleç!». Ai vetë vrapoi drejt kopesë, mori një viç të njomë e të mirë e ia dha shërbëtorit që e përgatiti me të shpejtë. Pastaj mori mazë, qumësht e viçin që ishte përgatitur e ua shtroi përpara. Dhe ai qëndroi në këmbë, ndërsa ata hanin nën pemë.
Zanafilla 18:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës. Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha: "Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd! Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë. Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë". Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç". Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë. Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.