Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 15:1-17

Zanafilla 15:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre ngjarjeve, fjala e ZOTIT iu drejtua Abramit në një vegim: «Abram, mos ki frikë. Unë jam mburoja jote. Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh!». Abrami tha: «O ZOT, Zoti im, çfarë do të më japësh kur jam pa fëmijë e trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri i Damaskut?». Pastaj tha: «Ti nuk më ke dhënë pasardhës dhe, ja, një shërbëtor do të jetë trashëgimtari im». Dhe, ja, fjala e ZOTIT iu drejtua: «Trashëgimtari yt nuk do të jetë ky, por ai që do të dalë prej trupit tënd, ai do të jetë trashëgimtari yt». Pastaj e nxori jashtë e i tha: «Shiko qiellin e numëroji yjet, po munde! Kaq të shumtë do të jenë trashëgimtarët e tu». Abrami besoi në ZOTIN e ZOTI ia numëroi për drejtësi. Ai i tha: «Unë jam ZOTI që të nxori nga Uri i kaldenjve për të të dhënë si trashëgimi këtë tokë». Abrami iu përgjigj: «O ZOT, Zoti im, nga do ta di unë se do ta trashëgoj?». Ai i tha: «Më sill një mëshqerrë tri vjeçe, një dhi e një dash tre vjeç, një turtull e një pëllumb të ri». Abrami ia solli të gjitha këto. I preu më dysh dhe i vuri gjysmat përballë njëra-tjetrës, por zogjtë nuk i preu. Disa shpendë grabitqarë u lëshuan mbi to, por Abrami i dëboi. Në të perënduar, Abramin e kapi një gjumë i thellë dhe, ja, e pllakosi një frikë e errët dhe e madhe. Dhe ZOTI i tha Abramit: «Dije mirë se pasardhësit e tu do të banojnë në vend të huaj e do të jenë skllevër e të shtypur për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin, të cilit do t'i shërbejnë e pas kësaj do të dalin me pasuri të mëdha. Ndërsa ti do të bashkohesh me etërit e tu në paqe e do të varrosesh pas një pleqërie të mbarë. Në brezninë e katërt, pasardhësit e tu do të kthehen këtu pasi ligësia e amoritëve nuk e ka arritur ende kulmin». Kur perëndoi dielli, u bë errësirë dhe, ja, u duk një mangall me tym e një pishtar zjarri, i cili përshkoi gjysmat e prera.

Zanafilla 15:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh". Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?". Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im". Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt". Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t'i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu". Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë. Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend". Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta di unë që do ta kem si trashëgim?". Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri". Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau. Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri. Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë. Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet. Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qenë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha. Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur. Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e amorenjve s'ka arritur ende kulmin". Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.