Zanafilla 13:1-13
Zanafilla 13:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Abrami shkoi nga Egjipti në Negev bashkë me të shoqen e me gjithçka kishte. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend e ar. Ai vazhdoi udhëtimin nga Negevi deri në Betel, deri në vendin ku kishte ngritur më parë tendën, mes Betelit e Ajit, aty ku në fillim kishte ngritur një altar. Atje Abrami thirri emrin e ZOTIT. Edhe Loti, që udhëtonte me Abramin, kishte dhen, qe e tenda. Nuk kishte vend për të dy, se pasuria e tyre ishte aq e madhe, saqë nuk mund të jetonin bashkë. Kështu, filloi një grindje mes barinjve të bagëtive të Abramit e barinjve të bagëtive të Lotit. Në atë kohë, në atë vend jetonin kananitët e perizitët. Atëherë Abrami i tha Lotit: «Të mos ketë grindje mes nesh, mes barinjve të mi e barinjve të tu, se jemi vëllezër. A nuk është e gjithë toka përpara teje? Le të ndahemi. Nëse shkon në të majtë, unë do të marr në të djathtë. E nëse shkon në të djathtë, unë do të marr në të majtë». Loti ngriti sytë e pa se gjithë lugina e Jordanit deri në Coar ujitej si kopshti i ZOTIT, si toka e Egjiptit, përpara se ZOTI të shkatërronte Sodomën e Gomorrën. Loti zgjodhi për vete gjithë luginën e Jordanit e udhëtoi drejt lindjes. Kështu, u ndanë nga njëri-tjetri. Abrami banoi në tokën e Kanaanit, ndërsa Loti banoi në qytetet e luginës dhe ngriti tendat pranë Sodomës. Mirëpo njerëzit e Sodomës ishin shumë të ligj e mëkatarë para ZOTIT.
Zanafilla 13:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar. Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait, në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit. Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra. Dhe vendi nuk ishte në gjendje t'i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend kanaanenjtë dhe perezenjtë. Dhe kështu Abrami i tha Lotit: "Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas". Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit. Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t'i zhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri. Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë. Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.