Zanafilla 12:1-8
Zanafilla 12:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Abramit: «Dil nga vendi yt, nga farefisi yt e nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Do të të bëj komb të madh e do të të bekoj. Emrin tënd do ta bëj të madh e bekim do të jesh. Do të bekoj këdo që të bekon, por atë që të përçmon do ta mallkoj. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty». Atëherë Abrami bëri siç i tha ZOTI. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. Ai mori me vete Sarajën, të shoqen, nipin e tij, Lotin, dhe tërë pasurinë e njerëzit që kishin mbledhur në Haran e u nisën drejt tokës së Kanaanit. Kur arritën në tokën e Kanaanit, Abrami përshkoi vendin deri te lisi i Morehut në Shekem. Në atë kohë, në atë vend banonin kananitët. ZOTI iu shfaq Abramit e tha: «Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë vend». Atëherë Abrami i ngriti aty një altar ZOTIT që i ishte shfaqur. Prej andej u shpërngul drejt malit në lindje të Betelit dhe ngriti tendën mes Betelit në perëndim e Ajit në lindje. Edhe aty i ngriti një altar ZOTIT e thirri emrin e tij.
Zanafilla 12:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Zoti i tha Abramit: "Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës". Atëherë Abrami u nis siç i kishte thënë Zoti dhe Loti shkoi me të. Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. Dhe Abrami mori me vete Sarajn, gruan e tij, dhe Lotin, birin e të vëllait, dhe të gjithë pasurinë që kishin grumbulluar dhe personat që kishin blerë në Haran, dhe u nisën për të vajtur në vendin e kanaanenjve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit. Abrami e kapërceu vendin deri te lokaliteti i Sikemit, deri tek lisi i Morehut. Në atë kohë ndodheshin në atë vend kanaanenjtë. Atëherë u shfaq Zoti përpara Abramit dhe i tha: "Unë do t'ia jap këtë vend pasardhësve të tu". Atëherë Abrami i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur. Së këtejmi u zhvendos drejt malit në lindje të Bethelit dhe ngriti çadrat e tij, duke pasur Bethelin në jug dhe Ainë në lindje; dhe ndërtoi aty një altar kushtuar Zotit dhe i bëri thirrje emrit të Zotit.